FSHATI NIVICE

Fshati Nivicë është pjesë e Njësisë administrative “Kurvelesh”, 30 km larg qytetit të Tepelenës dhe 190 km larg Kryeqytetit, Tiranës. Ndodhet 750 metra mbi nivelin e detit, rrëzë malit të Këndrevicës, 2100 metra të lartë. Në Nivicë dhe në krahinën e Kurveleshit kanë filluar kërkimet arkeologjike për 5 vitet në vijim, në bashkëpunim me Universitetin e Bristolit, Bashkinë e Tepelenës, Institutin e Arkeologjisë dhe AKB-në. Banorët e fshatit prej shekujsh kanë qenë të pranishëm në rajonin e mesdheut nëpërmjet porteve të Butrintit dhe Aulonës antike, duke bërë të mundur jo vetëm shkëmbimin e mallrave, të kulturave por edhe ideve. Nivica me sip 105 km2, kufizohet me nentë  fshatra dhe është mё i madhi i krahinës. Banorët e kesaj qyteze kanë një prejardhje shumë të lashtë. Sipas librit të Fransua Pukëvilit, “Udhëtime në Greqi”, këtu kanë banuar fisi ilir i Amantëve. Në Nivicë ilirët në shekujt e IV-II para erës së re ndërtuan një kala si gjenezë e qytezës së më vonëshme. Kalaja është ndërtuar mbi një shkëmb me lartësi 80 deri ne 100 m, në një kryqëzim strategjik rrugësh dhe ishte e pamundur ti afroheshe asaj. Këtu kalon rruga e Salarisë, Kuçit, Bënçës dhe e Vërmikut. Pozicioni strategjik dhe kalaja bëri që ky vendbanim të ishte qendra e dytë me rëndësi e fisit ilir të Amantëve. Kalaja u rindërtua për herë të parë nga romakët rreth viteve 167 para erës së re. Kalaja e Nivicës, 2400 vjeçare dhe banesa e Myfit Kaçubajt janë monumente kulture.

Më tej vijnë kanionet e Nivicës. Ujëvara me lartësi 220 metra është ndër më të lartat në Europë. Nivicë në latinisht do të thotë “dëborë”. Bukuritë natyrore janë të pafundme. Rrëke uji të kristalta rrjedhin nga kanionet e tejdukshme dhe ura prej guri të cilat datojnë që nga koha otomane, harkohen mbi lugina të paprekura prej shekujsh. Kur dielli perëndon, barinjtë kalojnë me kopetë e tyre përmes fushave dhe i çojnë ato në vathë, ku janë gati për tu mjelë. Këtu shikon njerëz që mjelin delet e dhitë si 4.000 vjet më parë.

Në afërsi të kalasë është gjetur statuja prej bronzi e zeusit pellazgjik dhe e shqiponjës, të dyja 8 cm të larta të krijuara në punishtet e Amantias në Vlorë. Zeusi paraqet një mashkull lakuriq me pamje kërcënuese dhe kuptohet që është Zeusi rrufehedhës, i ngjashem me ata të gjetur në Apolloni, Korcë, Janinë dhe të gjetur në vitin 1961 në Uxhende të Leces në Itali, që daton në vitin 530 para krishtit. Nga gjetjet e tjera si monedha amante e epirote dhe fragmente qeramike, del se kjo ka qenë koha e lulëzimit të qytezës ilire të Nivicës. Ky fshat i madh në momente të caktuara kur sulmohej nga të huajt, është zvogëluar deri me 10-12 shtëpi të banuara.

Kurveleshi i  sipërm është quajtur edhe çatia e Labërisë. Ai përbëhet prej pesë fshatrave, Nivica, Rexhini, Gusmari si qendra e nënprefekturës, Progonati dhe Lekdushi. Aty natyra ngjason me një pikturë impresionuese të kapur pas reve. Në sfond mali i Gribës ose Këndrevica 2221 m i lartë e i qarkuar me malet e tjera. Këtu njerëzit janë të rrëmbyer si rrëketë por shumë krenarë. Brenda humnerave pellazgjike dhe kanioneve të shumta e të frikshme, është historia e banorëve të zonës. Kjo s’është një krahinë çfarëdo, por krahina emërshquar e Kurveleshit aty s’kanë vlerë lekët qofshin edhe flori, s’ka peshë pushteti qoftë edhe i sulltanit, aty ka vlerë krenaria dhe fjala, e cila para se të thuhet peshohet dhe vret njëlloj si plumbi. Në Nivicë në vitin 1908 është hapur shkolla e parë shqipe e krahinës.

Pushka dhe pena është një binom i pandarë i këtyre banorëve, kudo që të gërmosh qoftë edhe sipërfaqësisht është pëllëmbë e histori. Pjesë e polifonisë labe të cilën e kanë quajtur edhe simfonia labe, është edhe ligjërimi i grave (kolli) të cilat vajtojnë një trim të vrarë apo një jetë të humbur. Vetëm atëherë oda e burrave është e detyruar të heshtë, në nderim të perëndive. Nivica është me histori interesante, me pika të shumta kulmore, me emra që kanë lënë gjurmë në kujtesën kolektive apo të shkruar dhe me natyrë piktoreske. Historia është e mbushur me emra të trimave niviciotë. S’mund të flitet për Nivicën pa u ndalur te miti Hodo Ali, i pavdekshëm nëpërmjet këngës labe. Si gjerdan mbi supe/ Të mban Këndrevica/ Vështron thellë në kohëra/ Hodo bej Nivica/ Ja përtej Delvinës/ Paska rënë mavrija/ Plagët e Janinës/ I lidh Çamëria/ Lotët që s’ta puthën/ Syrin si fajkua/ Po i nxjerr nga shpirti/ Për dhimbjet e tua. Kurveleshi dhe Nivica kanë edhe valltarë e këngëtarë virtuozë, të vlerësuar në festivalet kombëtare.

Historia përbën zemrën e Labërisë, pasi këtu si askund tjetër në Shqipëri, ajo i hyn në hak e i lë pak vend gjeografisë. Labëria është unike me kulturën materiale e shpirtërore, me profesion të saj blegtorinë, pushkën dhe këngën. Kurveleshi është një hapësirë unike, me nuanca gati të padallueshme nga një zonë në tjetrën brenda tij. Një i huaj e ka të vështirë që në gjithë atë etni të lebërve, të vërë kufij e të ndajë Kurveleshin e Sipërm me atë të Poshtmin, Kurveleshin e Tepelenës me atë të Gjirokastrës, të  Lumit të Vlorës  me atë të Dukatit, të Bregut me atë të Delvinës etj. Këta janë kufijtë natyrorë por karakteri i fortë lab, trimëria, humori dhe kënga labe kanë ecur më tej, kanë zgjeruar kufirin deri në Myzeqenë e Vogël, Mifol, në Mallakastër përtej Vjosës, përtej Memaliajt, përtej Drinos në Rrëzë të Gjirokastrës, madje deri në Lazarat.

Dy thesaret më të mëdhenj që ka ky fshat, kalaja dhe kanionet poshtë tij, përbëjnë kompleksin historiko-natyror më unik dhe të rrallë, që vështirë ta gjesh në të gjithë Shqipërinë. Nivica që herët ka zgjuar interesin e studiuesve të huaj, të cilët sapo u është dhënë rasti, kanë vrapuar në këtë fshat. Këtu ka ardhur gjeografi i famshëm Skilaksi, për të parë nëse ky qytet ishte Amantia antike, konsulli francez pranë Ali Pashë Tepelenës Pukëvili, H. Holand duke i lënë radhë topografit dhe arkeologut të shquar të kohës dhe konsullit anglez, William Martin Lik. Në fillim të shekullit të 20-të Nivicën e ka vizituar edhe udhëtarja angleze Edith Durham. Ajo ka lënë për  Nivicën dy kujtime të rralla, një hartë të zonës dhe vizatimin në formën e një skice, ku shihen portrete të burrave të Nivicës në shtëpinë ku ajo kishte bujtur. Por në Nivicë në vitin 1930 u ngjit edhe i famshmi L. Ugolini, zbuluesi i Butrintit dhe Foinikes.

Por Nivica ka edhe thesare të tjera natyrore, si humnerat poshtë fshatit, kanionet dhe gropat të cilat me ardhjen e turistëve u bënë jo vetëm të njohura, por edhe të vizitueshme për ata.

Kanionet fillojnë sa kalon fshatin Bёnçe, duke ndjekur të kundërtën e rrjedhës së lumit ku në krah të djathtë ndodhet mali i Çoçkos me shumë shpella të vizitueshme. Në këto shpella u strehua çeta e Bilbilenjëve. Kanionin e madh e kanë krijuar lumi i Nivicës me degët e tij, si përroi i Lekdushit, i Progonatit, i Gusmarit dhe i Gjonmushit duke krijuar në qendër Guvën e Nivicës. Në lashtësi kanionet kanë qenë të lidhura me ura si rrugë kalimi të fshehtë në kohë rreziku. Nga kalaja e Nivicës kalohej për në vendbanimet e hershme në Gradishtë, Progonat dhe Gusmar. Duke u nisur nga Guva në drejtim të rrjedhës së lumit në krahun e majtë e përball kalasë, ndodhen dy ujëvara ajo e Pesjakut me lartësi 30-40 m dhe ajo e Kastravicës me lartësi rreth 100 m, ku uji bie vertikalisht dhe ka krijuar një gropë të madhe. Në kohë me shi ujëvara ka një pamje madhështore. Zagoi i Vasos është një vend i sheshtë me bimësi të gjelbër, në të gjitha anët i rrethuar me humnera thikë. Më pas vjen Vinja i shfrytëzueshëm nga banorët kryesisht në dimër për dhitë, te cilat i çonin aty duke ndërtuar ura dhe skela. Bagëtite qëndronin atje deri në pranverë, sepse s’kishte rrezik as nga egërsirat dhe njerëzit. Një tjetër kanion ka qenë Drimoi i shfrytëzueshëm me 4-5 ha tokë të sheshtë. Veç kanioneve në Nivicë në rrethinat fqinje ka shpella të panjohura dhe të pa eksploruara që përbëjnë një resurs turistik për zonën, si Shpella Kishë e Drimoit e përdorur nga banorët në kohë lufte. Mendohet se e ka marrë emrin Kishë pasi mund të ketë qenë kishë eremite. Shpella e Guvës ndodhet në humnerën poshtë kalasë, Shpella e Labës, Shpella e Gjonushit, Shpella e Aliqënde, Shpella e Ariut, Shpella e Gusmos, e Murtajës, Gropa e Merje etj.

Në Nivicë ndodhet maja e Sefereve, një kodrinë e rrethuar me pyll lisash, ndoshta tempulli i fundit pagan në rajon, që ende adhurohet nga banorët vendas. Prej aty shijon një pamje të rrallë të Kanioneve të Nivicës dhe malit të Këndrevicës. Një shesh i madh i shtruar me pllaka guri dhe i rrethuar nga 5 lisa madhështorë ka qënë vendi i ritualeve të lashta. Aty ndodhet edhe një mur rrethor ku banorët ndezin qirinj apo bëjnë kurban, ku ende misteri i Lisit adhurohet. Vendi përqark eshte i mbushur me “Gurë Rrufeje” , një vend ku Zeusi hidhte flakën e tij dhe vetëm 500 metra larg tyre u zbulua statuja antike e Zeusit rrufehedhës. Ndodhta një Dodonë e dytë pellazge. Ka mundësi që tempulli të ketë qënë i dedikuar mistereve të interpretimit të zhurmës së gjetheve të lisave të shenjtë, nga priftërinjtë e “Orakullit të Lisave”. Homeri shkruan se“Akili ju lut Zeusit, Lordit të Dodonës së Shenjtë”.  Poshtë këtij tempulli ndodhet një vend tjetër i shenjtë si kisha e Vinjës, ndoshta një vend paleokristian. Të gjitha të vizitueshme sipas rrugës automobilistike Tepelenë-Progonat-Nivicë, ose nga bregdeti duke u futur në Lumin e Vlorës, Himarë apo Borsh. Turistët e aventurës, të sporteve malore dhe ujore, kanë filluar të vizitojnë kanionet dhe ti promovojnë nëpërmjet fotove e videove që i realizojnë. Nivica ndodhet shumë pranë detit. Aty gjenden edhe vende të shenjta, ndërtesa guri dhe rrënoja të ndryshme. Të vizitueshme janë monumentet si kanionet e Nivicës, kalaja e Nivicës, mulliri, banesa e Mufit Kaçubajt, parcela perimesh, pemishte, vreshta, livadhe, shtigje, një numër kafshësh unike si fajkoi egjiptian etj. Aty është ngritur edhe një stacion i rritjes së shpendit Kali i Qyqes, që tashmë është kthyer në një atraksion turistik. Nivica është pjesë e një itenerari udhëtimi në këmbë drejt Greqisë dhe ka potencial të madh për shëtitje në këmbë, shëtitjet me kalë, mountin bike dhe ngjitje në male. Plaza e sapo rinovuar në juglindje të fshatit, është qëndra publike e Nivicës. Të gjitha shtëpitë janë në preces rinovimi dhe restaurimi turistik. Infrastruktura komerciale dhe sociale ështe e përqendruar rreth sheshit, i cili ofron një hapësirë të gjerë e të hapur për vizitorët dhe banorët. Nivica tashmë është një model i turizmit shqiptar. Bujtinat e para modeste sapo janë hapur. Falë bashkëpunimit me Universitetin e Michiganit, studentët amerikanë u mësuan banorëve të zonës anglishten praktike. Universiteti i Tiranës dërgoi studentët e parë të arkitekturës për praktikë. Universiteti i Barit e ka përfshirë intenerarin historiko-turistik, në një studim mbi fortifikimet ushtarake të periudhës komuniste. Universiteti i Bristolit në Angli do të fillojë një projekt multi dimensional për kërkime shkencore. Në bashkëpunim me disa organizata çeke, janë markuar shtigjet nga zona e Kuçit deri në Gryken e Këlcyrës, shtigje të cilat tashmë gjenden edhe në GIS. Gazetarët e huaj po vijnë për të shkruar për këtë zonë të mrekullueshme, e cila lidh vijën bregdetare me atë malore. Në vijim për pak vjet edhe kjo krahinë do të jetë një zonë model për turizmin shqiptar.

Rrapi i Nivicës ndodhet në qendër të fshatit. Përfaqëson një dru të veçuar me lartësi mbi 18 m, diametër të trungut deri në 2.5 m dhe moshë mbi 250 vjeçare. Ka kurorë të rregullt e perimetër mbi 30 m. Nën hijen e tij janë zhvilluar shumë takime dhe kuvënde të banorëve të fshatit dhe krahinës. Ka vlera shkencore biologjike, didaktike, estetike, kulturore dhe turistike.

Aktivitete tipike që zhvillohen

Në kuroren e rrapit në Nivicë të Tepelenës, mbahet konkursi i përvitshëm, Pan-Fest-Nivica. Përfshin përzgjedhjen e cjapit më të bukur të krahinës së Kurveleshit.

  • Në muajin Shtator zhvillohet prezantimi teatror në Nivicë.
  • Zhvillohen Ditet e Trashëgimisë Europiane, (Panairi i Artizanit) për Qarkun e Gjirokastrës.
  • Zhvillohet Polifonia Shqiptare në UNESKO, për Qarkun e Gjirokastrës.

Qëndër informacioni, agroturizmi, artizanale, etj.

Informacion për trashëgiminë kulturore në Gjirokastër me adresë  tic@gjirokastra.org  telefononi në numrin  +355 842 67077.

Rruga: Ali Pashe Tepelena, Sheshi Bajron, Telefon 123 08 142 470,  Fax 123 456 7891,  E-mail info@tepelena.gov.al

Një kuriozitet mbi fshatin

Këtu kanë ardhur gjeografi i famshëm Skilaksi, konsulli francez Pukëvili, mendimtari H. Holand, topografi, arkeologu dhe konsulli anglez William Martin Lik. Nivicën e ka vizituar udhëtarja angleze Edith Durham. Në Nivicë në vitin 1930, erdhi dhe L.Ugolini.

Mendohet se është vendi i qytetit të lashtë ilir, i Amantias së dytë.

Eshtë gjetur statuja e Zeusit rrufehedhës dhe gjenden gurë paganë.

Quhet catia e krahinës së laberisë.

Facilitetet

Do të përcaktohen facilitete fiskale në fazën e dytë të projektit fitues të 100 fshatrave dhe 150 bujtinave.

Projekt pilot i turizmit të qëndrueshëm dhe disa projekte të tjera ndërkombëtare.

Pjesë e pesë paketave turistike shqiptaro-italiane nga organizata “Cesvi”.

Një serë projektesh infrastrukturore, në zhvillim e sipër.

Projekte në kuadër të programeve, Interreg IPA të Bashkimit Europian ku Shqipëria përfaqësohet me Qarkun e Gjirokastrës.

Koha që rekomandohet për tu vizituar

Nivica mund të vizitohet përgjatë gjithë vitit, por koha ideale është ajo e sezonit të Pranverë-Verë dhe Vjeshtë, kur zona mbushet me shumëllojshmëri ngjyrash dhe prodhimesh natyrore. Në sezonin e shirave ofron pamje spektakolare të ujëvarave dhe në vjeshtë dëgjohet fëshfërima e gjetheve.

Si arrihet në destinacion

Nivica është 139 km larg nga Kryeqyteti Tirana, 30 km larg nga qyteti i Tepelenës dhe 14 km larg nga qyteti i Sarandës. Arrihet me rrugë automobilistike të asfaltuar.

Kontaktet e nevojshme

Informacion për trashëgiminë kulturore në Gjirokastër me adresë  tic@gjirokastra.org  telefononi në numrin  +355 842 67077.

Rruga: Ali Pashe Tepelena, Sheshi Bajron,  Telefon 123 08 142 470  Fax 123 456 7891  E-mail info@tepelena.gov.al

Fshati Nivicë e Njësisë administrative “Kurvelesh”, pjesë e Bashkisë Tepelenë, Qarku Gjirokastër.

Telefon: +355 (123)-7890  
 Fax: (123) 456-7891     
 Email: gjirokasterbashkia@gmail.com

Post Author: smile.albania

Leave a Reply

Your email address will not be published.